Portrete Alumnesh


Alumni Evarist Beqiri Me Një Libër Mbi Ismail Qemalin

29 September 2022 11:00


Përgëzime për alumnin tonë Evarist Beqiri për librin e tij "Themeluesi, lidershipi i Ismail Qemalit". Libri sapo ka dalë në shitje dhe do të promovohet më tej në nëntor në vigjilje të festës së pavarësisë. Kjo është prova e dytë e Evaristit në këtë fushë pas përkthimit në shqip në vitin 2013 të librit "Lidershipi i John F.Kennedy"  


Oljan Kanushi Emërohet Nëndrejtor I SHISH

31 August 2022 20:13


Përgëzime për emërimin në pozicionin e nëndrejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror për alumnin tonë të gjeneratës 2015, z. Oljan Kanushi. Oljani ka një eksperiencë të gjatë pranë Këshillit të Ministrave në koordinimin dhe monitorimin e projekteve kombëtare të zhvillimit dhe reformave të rëndësishme të ndërmarra në nivel kombëtar. I urojmë atij suksese në këtë detyrë të re në drejtimin e institucionit të SHISH. 


Elda Gjoka Zgjidhet Në Strukturat Drejtuese Të Federatës Botërore Të Peshëngritjes

11 June 2022 14:12


Suksese për Elda Gjokën, alumna e gjeneratës 2013, e cila është zgjedhur së fundi anëtare e Dhomës së Pavarur Investigative të Federates Botërore të Peshëngritjes (IWF) . Komiteti me përfaqësues nga pesë kontinentet si dhe ndryshimet e mëtejshme organizative të ndërmarra në kongresin e fundit të IWF, synojnë që të sigurojnë rregulla të barabarta dhe një konkurrencë të ndershme për të gjithë pjesëmarrësit në garat e organizuara në sportin e peshëngritjes. Ky vlerësim për znj. Gjoka është rrjedhojë e angazhimit të saj të gjatë si përfaqësuese e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, por edhe një ish-sportiste e spikatur. Znj. Gjoka është gjithashtu themeluese e "Genuine Effect" dhe zotëron një eksperince mbi 10-vjecare si eskperte ndërkombëtare për zhvillimin e suksesshëm të korporatave, organizatave të shoqërisë civile dhe individëve. 


Rikonfirmohet Në Detyrë Alumni Fatri Islamaj

17 April 2022 18:00


Përgëzime për alumnin tonë të gjeneratës 2019, gjyqtarin Fatri Islamaj për konfirmimin në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA). Ky kolegj shpalli të enjten prishjen e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e pati shkarkuar Islamajn rreth dy vite më parë. Argumentet dhe provat e paraqitura u gjetën të drejta nga shumica në KPA. Pas këtij vendimi Fatriu mund të rikthehet në ushtrimin e detyrës. Fatri Islamaj ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitet 2003-2006 dhe e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor nga Gjykata e Fierit. Në vitin 2010, ai është transferuar në Gjykatën e Tiranës dhe tre vjet më vonë u emërua kryetar i kësaj Gjykate.Pas tre vitesh drejtimi të Gjykatës së Tiranës, Fatri Islamaj u dekretua nga presidenti Nishani në vitin 2016 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës. Gjatë këtij viti, Islamaj ka ushtruar gjithashtu funksionin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i zgjedhur përmes shortit.


Ponari Në Drejtimin E Shoqatës Së Fondeve Të Pensioneve Private

8 April 2022 14:29


Alumni ynë i gjeneratës 2019, Elvis Ponari, u zgjodh dje në detyrën e kryetarit të Shoqatës së Fondeve të Pensioneve dhe sigurimeve të Jetës. Një vlerësim i mëtejshëm për nismat e nxitura dhe lobuara nga Elvisi për zhvillimin e kuadrit ligjor në fondet private të pensioneve si dhe rregullimeve të nevojshme për krijimin e mundësisë së investimit të këtyre fondeve në tregun e titujve me vlerë. Ponari mban pozicionin e Administratorit të Përgjithshëm të Fondit SIGAL të Pensioneve Private.I urojmë suksese Elvisit në këtë detyrë të re. 


Kandidimi I Ledio Braho Për Dhomën E Avokatisë

23 March 2022 21:00


Alumni Ledio Braho po kandidon në pozicionin e kryetarit të Dhomës së Avokatisë Tiranë në zgjedhjet që zhvillohen këtë të shtunë. Ledio është alumn i gjeneratës 2012 të Shkollës dhe pas një eksperience të vlerësuar si jurist është mandatuar nga Kuvendi si anëtar i Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. I urojmë fitore Ledios në këtë garë, jo vetëm për kontributin e tij profesional dhe cilësitë personale të dëshmuara deri më sot, por edhe me nevojën për të sjellë një frymë të re në këtë organ të rëndësishëm. Më poshtë njoftimi publik i Ledio për shpalljen e kandidaturës së tij: Te nderuar miq, ne date 26 Mars, prane Muzeut Kombetar, zhvillohen zgjedhjet per organet drejtuese te Dhomes se Avokatise Tirane. Me vullnetin e mire per t’i dhene nje fytyre dhe impuls te ri perfaqesimit te avokateve te Tiranes, kam vendosur te kandidoj per kryetar te kesaj dhome.Ndermarrjen e nje iniciative te tille e konsideroj privilegj dhe pergjegjesi, por kam besimin e plote qe me deshiren e mire dhe me nje ze te forte, do bej maksimumin per te garantuar sa me shume te drejtat e avokateve qe jane dhe nje nga grupet e interesit me te cenuar se fundmi.I bej thirrje kolegeve avokate te verifikojne nese kane emrat ne listat e votuesve, te marrin pjese ne zgjedhje ne date 26 mars dhe te gjejne kohen gjate harkut kohor nga ora 08:00 - 18:00 prane Muzeut Kombetar per te zgjedhur organet drejtuese te Dhomes se Avokatise Tirane.Vetem vota dhe perfaqesimi i denje mund t’i sherbejne zgjidhjes se atyre shume problemeve qe i diskutojme cdo dite mes kolegesh.


Entoni Dhe Altini, Orientim Për Sfidat E Ekonomisë

4 February 2022 11:48


It’s the economy, stupid! Një nga sloganet më të njohura politike që theksojnë rëndësinë e ekonomisë për cdo nismë vendimmarrëse, është aktuale për cdo vend dhe periudhë zhvillimi. Me këtë objektiv, ASP ka nxitur disa inisiativa kërkimore të alumnëve për të analizuar reformat e rëndësishme ekonomike dhe ofruar kontribut konkret orientues për vendimmarrësit. Dy nga alumnët me kontribut të rëndësishëm në këto nisma janë Enton Duro, lektor pranë Fakultetit Ekonomik, Universiteti i Tiranës dhe Altin Hoti, lektor në Universitetin Amerikan të Lindjes së Mesme në Kuvajt.  Në vitin 2021, të dy alumnët u bënë pjesë e një punimi studimor mbi ndikimin në ekonominë shqiptare të COVID-19. Bazuar në analizën e këtij vlerësimi dhe projeksioneve u ofruan disa rekomandime në optikën e shqyrtimit të krizës si një mundësi për të ofruar një qasje të re për zhvillimit ekonomik të vendit. Punimi i plotë mund të ndiqet në link:http://www.asp.al/pdf/Ekonomia_post_COVID-_Sfida_dhe_mundesi-converted.pdfE njëjta eksperiencë bashkëpunimi e tyre, u vendos një vit më pas në shërbim të analizës mbi bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe nismën “Ballkan i hapur”, duke ofruar disa rekomandime mbi ndërhyrjet e nevojshme për të reduktuar asimetritë kryesore ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe politikat e nevojshme për të siguruar përfitime maksimale nga një treg i përbashkët rajonal. Punimi i plotë: http://www.asp.al/pdf/Tregu_i_Perbashket_Rajonal_dhe_Ballkani_i_Hapur-converted.pdfTë dyja këto punime janë vlerësuar për profesionalizmin, kurajon qytetare për të vlerësuar reformat e kryera, por edhe vizionin e duhur për të orientuar vendimet e ardhshme. Faleminderit Enton dhe Altin për angazhimin tuaj që na bën krenarë të gjithëve.


Edlira Gjoni, Një Qytetare Aktive Për Rindërtimin Nga Tërmeti

3 January 2022 12:23


Tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit dhe pandemia e Covid-19, janë dy ngjarje që kanë lënë shenjën e tyre në ndërveprimin dhe marrëdhëniet sociale të shoqërisë sonë. Në këto momente të vështira, e kemi kuptuar edhe më shumë rëndësinë e besimit tek sistemet publike sociale dhe shëndetësore, por edhe vlerën e bashkëpunimit njerëzor për të ofruar ndihmë për këdo që ka më shumë nevojë si dhe orientim dhe shpresë për të ardhmen. Kemi menduar të provomojmë një histori të tillë njerëzore, historinë e suksesit të alumnes Edlira Gjoni. Kësaj here, jo në formatin e zakonshëm të profesionistes së arrirë në fushën e komunikimit dhe lidershipit, lektores universitare apo trajnueses ndërkombëtare. Përmbi këto aftësi dhe eksperienca personale të saj, besojmë së është me vlerë të promovojmë më tej Edlirën aktiviste në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti. Angazhimi  saj personal prej më shumë se një viti në sensibilizimin e publikut, mbledhjen e ndihmave dhe shpërndarja e tyre edhe në kushtet e pandemisë, kanë shërbyer si një shkëndijë shprese jo vetëm për ato familje të mbetura të pastreha në zonën e Ishmit pranë Durrësit. I kërkuam Edlirës, dhe kush më mirë se vetë ajo mund ta bënte, që ta përshkruante rrugëtimin e saj mbi njëvjeçar të aktivizimit me familjet e prekura nga tërmeti. Nga Edlira Gjoni“Të nesërmen e 26 Nëntorit 2019, nuk më mbante shtëpia. Nuk po e përballoja dot nga ekrani numrin e viktimave që rritej çdo orë. Mpirja mund të dilte vetëm me mpirje. Instikti njerëzor e ai profesional thërrisnin me forcë të dilja. Të shkoja “atje”, te vendi i ngjarjes. Morëm makinën me bashkëshortin për te epiqendra e tërmetit, në zonën e Ishmit, mes Durrësit, Krujës e Tiranës. Vetëm 3 kilometra pasi lamë Rinasin, hymë në kthesën për në Bubq. U dukën menjëherë shtëpitë e para disa katëshe buzë rrugës, me tulla të rëna, mure të krisura, tavane të rrëzuar, veranda që kishin zënë nën vete çimentot e kateve të para. Mezi e kaluam Bubqin e ngarkuar me makina, kamera televizive, furgonë me ushqime, makina ushtrie me çadra dhe një qendër provizore që ishte ngritur me shpejtësinë e erës e shpërndante ushqime e rroba. “Nuk ndalim këtu jo! Ka ardhur gjithë Tirana, ngaqë e ka sjellë një aktor humori. Të ikim më tutje. Me siguri ka familje e jetë edhe më tej” – këmbëngula me instinkt të fortë për të vijuar. Në Mazhë, Murqinë e Mallkuç ishte e njëjta gjendje: shtëpi të rrëzuara e mure të krisur diagonalisht e tejpërtej. Lajmet në radio flisnin për viktima që shtoheshin.....Tabela buzë rrugës nuk kishte më, teksa filluam të merrnim shumë ngadalë kodrën që të çonte drejt Ishmit. Asgjë nuk më kishte sjellë më parë në këtë zonë kaq afër e larg Tiranës. E shihja me sy të hapur nga habia. Buzë rruge, një shtëpi e vjetër, e shembur e tëra nga brenda. Tullat kishin zënë poshtë vetes një grumbull të madh e të njomë me bar. Të shumta shtëpitë që dukeshin të pabanuara. Ndaluam t’i bëja foto. Nuk rreshtte aparati. Mbi të, një shtëpi tjetër pa zë e pa dëmtime të dukshme, por me atë X-in e madh në muret e jashtme, që siç e mësova më pas, qenkej shenjë e dukshme që shtëpia nuk ishte më e banueshme. Akoma sipër saj, në kodër, mezi dukeshin disa mure të bardha. “Shkojmë atje” – shqiptova, më shumë me frikë sesa me ndonjë ide të qartë në kokë. Por makina nuk ngjitej aq lart. A isha e sigurt që doja të shkoja? Pa asnjë hezitim! M’u duk se shihja lëvizje njerëzish nga lart. E pikërisht atje duhet të shkoja, ku nuk kishin mbërritur VIP-at, kamerat, politikanët apo ushtritë me çadra. Atje ku ende nuk kishte shkuar askush! Ngjitja ishte e pjerrët, me baltë, e vështirë dhe e ngarkuar me pikëpyetje. Takimi i parë më Derajnën e vogëlPak mbi mesin e kodrës, një grua rreth të 60-ave ishte ulur në mes të baltës. Në krahë shtrëngonte një foshnje që qante pa pushim. Bri këmbëve, disa hunj zjarri që sapo i kishte fikur shiu. Përballë saj, muret dhe tavani i shembur i një shtëpie një-katëshe, lyer ëmbël me ngjyrë rozë. Nuk ka forcë, as fjalë, as ide në ngjarje të tilla. Gruaja fërkonte kokën e foshnjës dhe e tundte sa para pas, por më shumë ngushëllonte veten sesa foshnjën. Ende nuk na kishte vënë re, kur na u afrua i zoti i shtëpisë, Baftjari bashkë me të birin, Zanin, e me nusen e tij, Denisën. Gruaja ishte Sofia, më e forta grua që kam njohur në gjithë kohën pas tërmetit. Në krahë shtrëngonte mbesën, e lotët nuk i shternin. “Është vetëm 5 muajshe, zemra e nënës. Na vrau. Na zuri kokën. Na mori shtëpinë.....” Shpirti njerëzor i tëri i zhveshur, i hapur, i nderë në qiell të hapur në atë pamje. Kishin ndjerë tërmetin e parë rreth orës 2.00 pas mesnate, e nusen nuk e zinte më gjumi nga tronditja. Nënë Sofia i mori vajzën në dhomën e vet, që Denisa të qetësohej e të flinte. Në 4 pa 3 minuta, Denisa ishte ende zgjuar. Shtëpia u shkund menjëherë. Muret u shkëputën anash. Zhurma ishte ulëritëse. Denisa nuk mban mend asgjë, veçse kur e kishte gjetur veten jashtë. Dhoma e tyre ishte e para pranë derës së jashtme. Por Derajna e vogël nuk ishte. As Sofia jo! Dera e jashtme ishte mbyllur për një moment e Sofia me foshnjën në krah, thërriste nga brenda. Kuzhinës i ra në tokë gjithë tavani. Muri i pasmë i saj shpartalloi qëndrimin në këmbë. Muret në dhomën e Sofisë kërcisnin duke ushtruar presion mbi dollapin, mbi derën, mbi aftësinë e saj për të dalë jashtë. Në pakëz sekonda vendimtare, babë e bir hapën derën e ndihmuan të dilnin jashtë nënën me foshnjën e vogël. Pas tyre, muret, tjegullat e trarët vijon të të binin, të çaheshin, të kërcisnin me uturimë. Para syve të tyre u shemb shtëpia që Baftjari e Sofia mezi kishin ndërtuar një jetë të tërë. Bashkë me muret, u shemb edhe një pjesë jete e qetësie e familjes Kulla, në kodërzën e vogël të Ishmit. Afër mëngjesit, djali ndezi një zjarr të vogël, në qiell të hapur. Ishte fundi i nëntorit. I ftohti në kodër ishte i ashpër për foshnjën. Shtruan ç’gjetën në baltë e atje e gjeta Sofinë. Të pa lëvizur. Me sytë ngrirë drejt shtëpisë që për pak sekonda, desh i mori jetën: asaj, të birit, të shoqit, nuses e foshnjës së vogël. Vërtet, askush nuk kishte shkuar ende në atë skenë drame njerëzore. I përqafova me dënesë. Mora Derajnën në krahë. U dhashë ato pakëz ushqime të ngrohta që kisha mundur të merrja me vete. Pashë ullinjtë e shpërndarë gurëve, copat e pjatave, gotave, dritareve, enëve të bëra copë e çikë, në pjesën e shembur të kuzhinës. Tavani u kishte rënë sipër dhe i kishte rrafshuar të gjitha. Nevojitej veprimFillova të bëj disa telefonata. Mesazhe. Të kërkoja mendim. Ndihmë. Ide.... Mora leje të postoja Sofinë dhe Derajnën, me shpinë. Menjëherë Alda hapi rrugën që të shkoja te Bieta, në Ftesë në 5, në Top Channel. Fotot e Kullasit dhe Derajnës së vogël, morën dhenë. Në studio, një zotëri fisnik. Pa mbaruar emisioni, premton se së bashku me bashkëshorten soprano dhe vajzën e tij të vogël, do i blejnë Derajnës një kontejner. As e kisha dëgjuar ç’ishte. Kalvari i gjetjes, transportit dhe montimit të tij më çoi sërish në Ishëm. Derajnës i kishin çuar ndërkohë një çadër, por familja ishte e tëra mbi baltë, edhe brenda saj. Kontejneri ishte bekimi i parë, i pa ndeshur për familjen. Teksa ai vendosej, lotët e Sofisë u bënë legjendë. Së bashku me vrapin e saj pas meje, sa herë që vija e ikja, duke i çuar njerëz e dashamirës që nisur nga rrjetet sociale, më kërkonin ta mbështesnin drejtpërdrejt familjen. Unë çoja veten, fjalën, njerëz apo kontribut të vogël, aq sa njerëzit kishin mundësi, Sofia përherë më qepej poshtë kodrës me vrap “Pash Zotin prit të të jap disa vezë. I kam nga pulat e mia”. Kësaj familjeje fisnike, të rrënuar e zënë poshtë, i kishin ngelur vetëm pulat. E vetmja pasuri! E ajo edhe ato donte t’i dhuronte. Me aq sa kishte. Zemrën në dorë, nëna e sakrificave shqiptare. Pas çdo vizite, rrjetet sociale dhe miqtë dashamirës në media bënë punën e vet. Pas rrobave e enëve nga Teatri, erdhën ngrohësja e dysheku, pastaj tavolina e pajisjet e vogla, më pas paratë e një shfaqjeje zemre nga Drieda, kontributi i të voglës emigrante Fabiola dhe premtimi për dhomën e Derajnës nga Flutura. Këtu puna ngeli në vend. Nga Durrësi, me shtëpi të dëmtuar, Iliri u ofrua të paguante ndërtimin e shtëpisë nga themeli. Me paratë e veta nga biznesi i vogël privat. Një vit të tërë, nuk ngeli inxhinier e inspektor që nuk e vizitoi kodrën e vogël. Por leja e ndërtimit nuk doli dot. Deri sa më në fund, në mes të tetorit 2020, kur dimri i dytë po u trokiste në kontejner, familja Kulla pa grupin e punës të ngjiste kodrën e tyre. E kam cilësuar si arritjen më të madhe të vitit. Në 2020-ën kapërcyem pandeminë, mora çmim, fitova debate, shkrova, argumentova plot. Por asnjë arritje nuk krahasohet me ditën kur Sofia më nisi foto të themelit të ri që ishte hedhur sipër shtëpisë së rrëzuar që gjeta 15 muaj më parë. Rindërtimi i kësaj shtëpie u bë sfida ime personale. Premtimet, sms-të e “qetësimet” nga miq e gati-miq me pushtet, rrëzoheshin të gjitha. Televizionet u treguan miqësore e Nano, Salaj, Alishani, Hila nuk e kursyen hapësirën dhe fjalën. Por, asgjë nuk ecte. Ndërkohë, puna me Derajnën solli një lumë kërkesash e besimi të ri tek puna në terren, atje, tek balta e Ishmit. Ndaj pas saj, kontenierët filluan të vinin nga shumë kahe, si bekim për të gjitha familjet që fillova të njoh e miqësoj në Ishëm, në Gjuricë, në Kodër-Bizë. Irisi çoi personalisht kontejnerin tek Iliada dhe Orkida, motrat 3 dhe 5 vjeç ngelur pa çati mbi kokë. Pastaj erdhi Ermira që nga Amerika e mes gjithë njerëzve që punonin për tërmetin, më gjeti e me një këmbëngulje të admirueshme, porositi, bleu e shpërndau kontenierë e ndihma për 11 familje. Fluturoja për tek të gjithë. Iniciativë personale, humane, njerëzore, nxitur nga Derajna, e thelluar nga të gjithë njerëzit në nevojë, por me zemër aq të madhe që njoha në Ishëm. Mes tyre, edhe Ensuelën, 8-vjecaren me kaçurrelat e zeza, me sytë e mëdhenj plot dritë dhe vështrimin lutës të të ëmës për ndihmë. Kolegët e Akademisë Së Studimeve Politike nuk hezituan asnjë sekondë: i dhuruan familjes pagesën për 10 seanca logopedie, për të lehtësuar sadopak barrën psikologjike të pas-tërmetit. Themelet e shtëpive të rejaEnsuela vijon të bëjë trajtim të specializuar logopedik. Edhe Derajna është rritur e mësoi t’i hedhë hapat e parë në baltë, në kontenier apo mes grupeve të emergjencave që shkonin e vinin me shkresa në duar, pa zgjidhur gjë. Ama sot Sofia më tregon një listë që mban poshtë jastëkut. Ka emrat e të gjithë njerëzve që iu përgjigjën kauzës e pranuan të vinin me mua deri në Ishëm, apo që më besuan të mbaroj porositë e tyre, me video live që lejon teknologjia. “Do t’i gdhend këta emra në këto kornizat që bëhen me shkrim hieroglif. Më kanë treguar edhe ku bëhen. Të gjithë do i gdhend, e do jetë korniza e parë që do vendos në shtëpinë e re. E nuk e di nëse do më vijnë, por ne do i ftojmë të gjithë, veç kur të vijë ajo ditë që do futemi brenda. Do therim viçin ne. Atë të vetmin që kemi. Për këtë ditë rritet ai”.Nuk e mbaj më mend numrin e vizitave të mia në Ishëm. As numrin e njerëzve të mirë që më besuan e së bashku ndihmuam kaq shumë familje. Pa bujë. Pa deklarata. Pa pagesë. Pa asnjë projekt. Pa asnjë përfitim monetar. Pa asnjë shtysë, veç dëshirës së brendshme për të qenë njeri, pranë njerëzve që kanë nevojë. Pas Sofisë, foto me themele shtëpish më nisi edhe Irena. Edhe Artemisa. Edhe të tjera. Nuk ka lumturi më sublime në jetë sesa kur shikon të realizuar një mision kaq të thjeshtë: të jesh njeri për njerinë! Faleminderit!"


Admir Malaj, Katër Vite Advokim Për Aderimin Në “Farmakope”

31 December 2021 12:31


Që prej muajit shtator 2019 Shqipëria u bë pjesë e vendeve që aderojnë në konventën evropiane të Farmakopesë, një mekanizëm i Këshillit të Evropës që përcakton standartet e cilësisë dhe kontrollit për sektorin farmaceutik. Ratifikimi nga Parlamenti i dha fund një neglizhence institucionale 24 vjeçare, që e kishte mbajtur Shqipërinë si të vetmin vend në hapësirën evropiane jashtë konventës. Pakkush mund të ndjehet sot më i gëzuar nga ky vendim sesa Admir Malaj, farmacisti alumn i Shkollës së Studimeve Politike, i cili nisi katër vite më parë një aktivizim të mirëfilltë advokues për këtë çështje. Insistimi i tij i palodhur në çdo takim me diplomatët e huaj, angazhimi i studentëve të farmacisë, por dhe mediatizimi i kësaj problematike, mund të thuhet tashmë se ia kanë vlejtur. Kjo është padyshim njëra nga historitë e suksesit të kontributit që ofrojnë alumnët e Shkollës në proceset e politikëbërjes dhe nxitjen e reformave të rëndësishme integruese në vend. Rrjetëzimi në Këshillin e EvropësSi një profesionist dhe kërkues shkencor në fushën rregullatore farmaceutike, Admir Malaj u bë pjesë e Shkollës së Studimeve Politike të gjeneratës 2015. Falë programit të Shkollës, atij iu dha mundësia që të vizitonte Këshillin e Evropës dhe misionin diplomatik shqiptar në Strazburg, aty ku ndodhet edhe selia e Farmakopesë. Në pritjen e shtruar nga ambasadorja Ardiana Hobdari, Admiri pati mundësinë që të diskutonte mbi problematikën e sigurisë farmaceutike, si dhe për Farmakopenë evropiane. Vendi ynë gëzonte statusin e vëzhguesit në këtë organizëm, por nuk kishte përfaqësim të rregullt në aktivitetet e tij.  Ambasadorja shprehu interesimin e vazhdueshëm të misionit për anëtarësimin në Farmakope si dhe ftesat e dërguara institucioneve përgjegjëse për të pasur një përfshirje më të madhe. Në vazhdim të këtij takimi, Admiri mundësoi vendosjen në kontakt të ambasadores me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Barnave. Si pasojë e këtij rrjetëzimi një delegacion nga Shqipëria u ftua në mbledhjen e rradhës të Farmakopesë, një përfaqësim i munguar prej shumë vitesh nga institucionet shqiptare. Gjatë vitit 2016 dhe më vonë, vizitat e delegatëve shqiptarë në takimet e Farmakopesë u shpeshtuan por për fat të keq, ky komunikim nuk u shoqërua me një rezultat pozitiv. Për shkak të disa ndryshime në pushtetin ekzekutiv që prekën edhe institucionet përgjegjëse për politikat në Shëndetësi si dhe mbarimin e misionit të zonjës Hobdari në Strazburg, u duk se heshtja do të mbulonte përsëri këtë inisitivë. “Në këto momente e kuptova se nuk mjaftonte vetëm sensibilizimi dhe vendosja në kontakte e aktorëve për të arritur një hap të tillë. Ishte i nevojshëm një angazhim më i strukturuar advokimi ndaj institucioneve publike”, kujton Admiri. Advokim në politikëbërjeSi një alumn i Shkollës, Admiri u përzgjodh në vitin 2016 për t’u bërë pjesë e një trajnimi mbi advokimin dhe nismat publike, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Ndërmjet të tjerash, ai pati mundësi të informohet nga stafi i shkollës dhe trajnuesja znj. Sashenka Lleshaj, mbi mënyrën më të mirë për të çuar përpara një nismë ligjore, sepse anëtarësimi në Farmakopenë Evropiane kërkonte miratimin e ligjit të posaçëm për ratifikimin të konventës në Parlament. “Njohuritë e fituara në këtë trajnim më ndihmuan që të ndërtoj një strategji advokimi ndaj politikëbërësve. Përfshirja e aktorëve të ndryshëm në këtë proces ishte çelësi për të arritur rezultate”, nënvizon Admiri. Kësaj radhe ai e filloi ndërhyrjen e tij nga bota akademike. Admiri ndërmori takime sensibilizuese me kolegë kërkues e pedagogë në fushat farmaceutike dhe me studentët e  departamentint të farmacisë. Në fund të vitit 2017, së bashku me këta të fundit, ai filloi një fushatë sensibilizimi në rrjetet sociale me hashtag #DuamFarmakopeSiGjithëEvropa, si dhe disa shënime shoqëruese, që shërbyen për informimin e disa mediave online dhe ato vizive. Kjo ndihmoi që Farmakope të bëhej e njohur për herë të parë nga publiku i gjerë. Në Prill 2018 Admiri do të tërhiqte vëmendjen e diplomatëve të  Delegacionit të Bashkimit Evropian me diskutimin e tij gjatë dëgjesave të shoqërisë civile në vijim të publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian. Ai do të nënvizonte edhe njëherë përfundimin e raportit mbi “mos qënien në linjë me acquis të legjislacioni mbi barnat”, që të kujtonte edhe njëherë se Shqipëria nuk ishte ende pjesë e Farmakopesë.  Advokimi u intensifikua më tej, kur në maj 2018, u angazhuan në këtë fushatë edhe një grup  studentësh të departamentint të farmacisë pranë Universitetit të Tiranës. Të rinjtë dërguan një kërkesë zyrtare informacioni pranë institucioneve përgjegjëse mbi ecurinë e ratifikimit të konventës. Admiri nuk ishte më i vetëm në këtë rrrugëtim falë insistimit të palodhur disavjeçar. Në përgjigjen ndaj letrës së studentëve nga Avokati i Popullit, konfirmohet për herë të parë se Ministria e Shëndetësisë kishte iniciuar procesin për ratifikimin e konventës, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Pas 24 vitesh neglizhence, më në fund procesi i anëtarësimit në Farmakope po bëhej realitet. Ministria e Shëndetësisë finalizoi me sukses procesin ligjor dhe falë tij në shtator 2019, Shqipëria u bë vendi i 39 që aderon në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane. Ky anëtarësimin krijon mundësitë për standarde cilësie dhe sigurie të barnave, duke na afruar gjithnjë e më shumë me tregun e përbashkët Evropian. Miratimi i saj gjithashtu krijon më shumë mundësi rritjeje profesionale për farmacistët shqiptarë dhe gjithë sektorin farmaceutik të vendit.  “Kur shoh sot pas në kohë, ndjej një kënaqësi shumë të madhe për faktin se së bashku me kolegë dhe studentë të farmacisë kemi qenë të aftë të vendosin dhe mbajmë fort në agjendën e politikëbërësve ratifikimin e konventës për përpunimin e Farmakopesë Evropiane”, shprehet Admiri, në përmbylljen me sukses të një advokimi që ka zgjatur mbi katër vite. Admiri dëshiron të mos mbajë për vete të gjitha meritat e kësaj inisiative:  “Nuk do t’ia kisha dalë mbanë pa mbështetjen e shumë aktorëve që u përfshinë në këtë aventurë të gjatë. Shkolla e Studimeve Politike, ka qenë mbështetësja e nismës falë edukimit mbi advokimin dhe nismat publike, por dhe rrjetëzimit me aktorë të tjerë, që mund të çonin edhe më përpara këtë proces. Një meritë e veçantë i takon Ministrisë së Shëndetësisë që është nismëtare dhe finalizuese e ratifikimit të konventës. Kjo mendoj është sinergjia e duhur midis politikëbërjes, shoqërisë civile dhe akademisë, që i duhet vendit për të bërë në një brez atë që mund të bëhet në dy apo tre breza”.